Secondary Adv

Strategjia e zhvillimit minerar 2026-2040, 181 mln euro për investimet dhe rrugën drejt BE

Qeveria planifikon 181 milionë euro për sektorin minerar deri në 2040, në funksion të modernizimit dhe integrimit evropian.

Rritja e investimeve për të nxitur sektorin minerar, si edhe plotësimi i kushteve të nevojshme përpara aderimit të vendit në Bashkimin Evropian, do të kërkojnë miliona euro në vitet në vijim. Qeveria ka analizuar dy opsione për nevojën e investimeve dhe planifikimin buxhetor në një strategji për vitet 2026–2040, të dedikuar zhvillimit të sektorit minerar, duke zgjedhur variantin me një kosto totale prej 181 milionë euro.

 

Dy faza buxhetore deri në vitin 2040

Sipas strategjisë, metodologjia përcakton dy periudha buxhetore të dallueshme. Faza e parë parashikon investime të shtuara deri në vitin 2030, periudhë që përkon me objektivin kombëtar të aderimit në Bashkimin Evropian, ndërsa faza e dytë, për vitet 2031–2040, fokusohet në konsolidimin, ruajtjen dhe zgjerimin e arritjeve të realizuara.

 

Në dokument theksohet se në fazën 2026–2030 politikat e Strategjisë Minerare janë të sinkronizuara me S3, ndaj edhe tavani buxhetor ruhet në linjë me pritshmëritë ambicioze të kësaj strategjie. S3 parashikon një financim total prej rreth 5,912,000,000 lekësh, ose 54,993,500 euro, për periudhën 2025–2030, që korrespondon me rreth 11 milionë euro në vit, një nivel dukshëm më i lartë se buxheti mesatar historik i sektorit prej rreth 5.1 milionë euro në vit.

 

Modernizim, teknologji dhe kapacitete njerëzore

Kjo qasje kërkon mobilizimin e burimeve shtesë përtej fondeve tradicionale buxhetore, veçanërisht për masat që lidhen me modernizimin teknologjik, dixhitalizimin, kërkim–zbulimin, përfshirë survejet ajrore, standardizimin sipas UNFC dhe forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale. Në fazën e dytë, për vitet 2031–2040, buxheti vjetor parashikohet të rritet me një normë fikse prej 3% në vit, me synimin për të ruajtur fuqinë blerëse reale, garantuar qëndrueshmërinë fiskale dhe vijueshmërinë e investimeve në infrastrukturën minerare dhe ekosistemin CRM/SR.

 

Opsioni II dhe planifikimi afatgjatë

Strategjia argumenton se Opsioni II merr si bazë mesataren vjetore të buxhetit të parashikuar nga S3 për periudhën 2025–2030, në nivelin 1,182,400,000 lekë, dhe aplikon indeksimin 3% mbi këtë nivel për vitet 2031–2040. Sipas dokumentit, kjo qasje shmang rrezikun e nënvlerësimit të nevojave financiare, duke reflektuar më besnikërisht kostot reale të modernizimit industrial, kërkimit dhe infrastrukturës teknologjike.

 

Në këtë kuptim, Opsioni II vlerësohet se siguron një planifikim më realist dhe të qëndrueshëm afatgjatë, pasi mbështetet në kapacitetin mesatar pesëvjeçar të projektuar nga S3 dhe krijon hapësirë të mjaftueshme për përballimin e angazhimeve që burojnë nga CRMA, standardet mjedisore dhe kërkesat e raportimit ndërkombëtar, përfshirë UNFC–CRIRSCO dhe ETS/CBAM.

 

Politikat kryesore të strategjisë

Dokumenti parashikon disa politika të zhvilluara brenda tij, që synojnë forcimin e vlerësimit dhe nxjerrjes së burimeve minerare, modernizimin, riciklimin dhe diversifikimin e zinxhirit të plotë të vlerës në sektor, rritjen e sigurisë, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, forcimin e kapitalit njerëzor dhe teknologjisë, si edhe ndërtimin e një sistemi të integruar informacioni dhe transparence.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat